Filantropia në Mbështetje të Ideve të Gjelbërta
KONKURSI KOMBËTAR Ide të Gjelbërta është një konkurs i përvitshëm, pjesë e Programit të Partnerëve Shqipëri në fushën e Filantropisë dhe Përgjegjshmërisë Sociale. Ai shërben si një inkubator për ide të gjelbërta që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik në Shqipëri, nëpërmjet përdorimit të burimeve lokale, ringjalljes së traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, e duke pasur një qasje miqësore ndaj mjedisit. Programi mbështet individë, ndërmarrje sociale, organizata të shoqërisë civile dhe sipërmarrje të biznesit të vogël, nëpërmjet një fondi të krijuar me kontribute të kompanive lokale dhe donatorëve privatë, me mbështetjen institucionale të Fondit Rockefeller Brothers. Programi ofron gjithashtu trainim e orientim në fushën e planifikimit të biznesit dhe marketingut, ofruar falas nga kompani vendase ndër të tjera Banka Intesa San Paolo, Banka Credins dhe Grand Thornton Albania.
KONKURSI RAJONAL Konkursi rajonal zhvillohet që prej vitit 2012 dhe paraqet një mundësi për fituesit në nivel lokal që të përfitojnë fonde shtesë nga Rockefeller Brothers Fund (RBF) nëpërmjet fondacioneve partnere në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mali i Zi, Maqedoni, Bosnje Hercegovinë dhe Greqi. Partnerët Shqipëri është partner i RBF në Shqipëri.