Delja e Humbur, Monedha e Humbur dhe Djali Plangprishës Luka 15:1-32 1 Atëherë të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët iu afruan për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë dhe skribët murmurisnin, duke thënë: “Ky njeri i pranon mëkatarët dhe ha me ta.” 3 Dhe ai u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, duke thënë: 4 Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe humbet njërën prej tyre, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretëtirë dhe nuk shkon pas asaj që ka humbur derisa ta gjejë? 5 Dhe kur e gjen, e vë mbi supet e veta duke u gëzuar. 6 Dhe kur vjen në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët e tij, duke u thënë atyre: “Gëzohuni me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur.” 7 Unë po ju them se po kështu do të ketë gëzim në qiell për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që nuk kanë nevojë për pendim. 8 Cila grua, që ka dhjetë monedha argjendi dhe humbet një, nuk ndez një llambë, nuk fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9 Dhe, kur e gjen, i thërret shoqet dhe fqinjët, duke thënë: “Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta dhrahminë që kisha humbur.” 10 Po kështu, po ju them, ka gëzim në prani të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet. 11 Dhe ai tha: “Një njeri kishte dy bij. 12 Më i riu i tyre i tha babait të vet: “Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon.” Dhe ai ua ndau atyre pasurinë e tij. 13 Jo shumë ditë më vonë, djali më i vogël mblodhi gjithçka dhe u nis për në një vend të largët, dhe atje e shkatërroi pasurinë e tij duke jetuar në mënyrë të shthurur. 14 Dhe pasi i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të ishte në nevojë. 15 Dhe ai shkoi dhe u bashkua me një qytetar të atij vendi; dhe ky e dërgoi në fushat e tij për të kullotur derrat. 16 Dhe ai dëshironte ta mbushte barkun e tij me lëvozhgat që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. 17 Dhe kur erdhi në vete, tha: “Sa mëditës të babait tim kanë bukë të bollshme, kurse unë po vdes nga uria!
1
18 Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: Atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe para teje, 19 Dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt; më bëj si një nga shërbëtorët e tu me mëditje. 20 Dhe ai u ngrit dhe shkoi tek i ati. Por, kur ishte ende larg, i ati e pa dhe pati dhembshuri; vrapoi, i ra në qafë dhe e puthi. 21 Dhe i biri i tha: “Atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt.” 22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: “Sillni rrobën më të mirë dhe vishjani, i vini një unazë në dorë dhe sandale në këmbë. 23 Sillni këtu viçin e majmur dhe thereni; le të hamë dhe të gëzohemi. 24 Sepse ky biri im ishte i vdekur dhe u ringjall; ishte i humbur dhe u gjet. Dhe ata filluan të gëzoheshin. 25 Djali i tij i madh ishte në arë; dhe, kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë dhe valle. 26 Dhe thirri një nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë do të thoshte kjo. 27 Dhe ai i tha: “Erdhi vëllai yt dhe ati yt theri viçin e majmur, sepse e mori shëndoshë e mirë.” 28 Ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; prandaj i ati doli dhe iu lut. 29 Ai iu përgjigj të atit: “Ja, kaq shumë vjet që të shërbej dhe nuk kam shkelur kurrë urdhërin tënd; megjithatë ti nuk më dhe kurrë një kec që të gëzohesha me miqtë e mi. 30 Por, sapo erdhi ky biri yt, që të ka përpirë pasurinë me prostituta, ti i there viçin e majmur për të. 31 Dhe ai i tha: “Bir, ti je gjithmonë me mua, dhe gjithçka që kam është jotja.” 32 Ishte e drejtë të gëzohemi dhe të ngazëllohemi, sepse ky vëllai yt ishte i vdekur dhe u ringjall; ishte i humbur dhe u gjet.
2