Skip to main content

VIJA | 38 | LINE

Page 1

Nr. 38, Gusht 2025

Shkolla Verore e Alpeve Shqiptare II: Gjatë matjeve në terren u mblodhën të dhëna të detajuara për rreth 122 ndërtesa të funksioneve të ndryshme në Nikç. Foto: GO2

Shkolla Verore e Alpeve Shqiptare II realizon hartëzimin e parë të detajuar të një vendbanimi malor në Shqipëri FAQE 1-2

“Për me e kujtue, duhet me e shkrue” - Dita e Komunitetit në Nikç të Kelmendit, Alpet Shqiptare FAQE 5

Udhëtimi Stan m’stan në Kelmend FAQE 3

Natyra përballë njeriut dhe njeriu përballë natyrës … si dhe vetes. Përsiatje dhe shënime nga një tur frymëzues ndër Bjeshkë të Kelmendit FAQE 4-6

Një udhëtim mes historisë, shpirtit dhe krenarisë së Bjeskëve të Kelmendit FAQE 4

Nga fshati më i izoluar e për rrjedhojë - më i paurbanizuar, Nikçi po kthehet në më të dokumentuarin e Kelmendit, falë punës intensive që GO2Albania po zhvillon prej gati dy vitesh në zonë. Kjo nisëm filloi me një seri vizitash për njohjen e terrenit, gjatë së cilave ekipi ka ftuar profesionistë të fushave të ndryshme, si arkitektë, arkeologë, restauratorë, historianë të arkitekturës, gazetarë, antropologë, ekspertë të GIS, biologë e inxhinierë pyjesh etj., nga universitete dhe qendra kërkimore-shkencore nga Shqipëria, Kosova, Italia, Gjermania, Spanja, Franca, Britania e Madhe, Peruja dhe SHBA. Përveç raporteve teknike për disa fusha respektive, produkt i këtyre vizitave kanë qenë edhe vëzhgimet ekstensive arkeologjike, vwzhgimet e dokumentimet e vendbanimit dhe të arkitekturës vernakulare, videointervistat e zgjeruara për studime etnografike dhe antropologjike me banorët vendas, si dhe fotografimi ajror i vendbanimit me dron në lartësitë 50-200m. Kjo ortofoto e detajuar, e realizuar në pranverën e vitit 2024, vazhdon të shërbejë si bazë për mbledhjen dhe përpunimin e një game të gjerë të dhënash për fshatin, të cilat i shtohen çdo ditë sistemit të të dhënave të hedhura në GIS (Geographical Information System) nga ekspertët e GO2Albania. Ky informacion bazë u konsultua gjerësisht edhe me ekspertë të huaj gjatë vizitave të punës, që ekipi i GO2Albania kreu në disa universitete dhe qendra kërkimore në SHBA, Belgjikë, Itali, Kosovë, Portugali etj.. Qëllimi i konsultimeve me aktorë të rëndësishëm të cilët kanë punuar me qasje të ngjashme në disa vendbanime malore në disa kontinente, si Amerika, Europa, Afrika dhe Azia, ishte hartimi i një metodologjie multidisiplinare për hartëzimin e peizazhit kulturor të fshatit Nikç si fillim, për të vijuar në të ardhmen edhe me vendbanime të tjera në Alpet e Shqipërisë. Vetë hartimi i metodologjisë ishte një sipërmarrje disamujore për të përfshirë ato shtresëzime tw informacionit që nevojiten për ngritjen e një baze të plotë të dhënash për zonën. Dhe si rezultat, metodologjia përfshin vëzhgime intensive arkitektonike, mbledhje të dhënash drejtpërdrejtë nga terreni përmes matjes dhe fotografimit të ndërtesave dhe elementëve të peizazhit kulturor, bisedave me banorët vendas, hartëzim me koordinata me GPS bazuar në vëzhgim me ecje në terren, si dhe në ortofoton e pranverës 2024. Është dashur pra, mbi një vit punë përgatitore për të organizuar Shkollën e Dytë Verore të Alpeve Shqiptare me temë “Hartëzimi i Peizazhit Kulturor”, e cila u zhvillua në Nikç të Luginës së Cemit, Kelmend, nga 11 deri më 21 Korrik 2025. Krahas aplikimit të metodologjisë dhe mbledhjes së të dhënave, qëllimi i shkollës ishte edukimi joformal i brezit të profesionistëve të rinj përmes praktikës në terren dhe punës laboratorike, në mënyrë që ata të kuptojnë ecurinë e formësimit të një vendbanimi, në rastin konkret atij malor në Alpet Shqiptare. Profesionistët e rinj që morën pjesë në këtë Shkollë Verore erdhën nga Universiteti Politeknik i Tiranës, nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, nga Universiteti “Hasan Prishtina” i Prishtinës, nga Universiteti Polis i Tiranës, nga Universiteti Politeknik i Torinos, nga Universiteti i Gjenovas dhe nga Universiteti Federico II i Napolit. vijon në faqen 2


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook