Nr. 37, Qershor 2025
“Paketa...” që u jep maleve goditjen e fundit FAQE 1, 3
Abdulla Diku: Qëllimet e mira dhe rreziqet e keqpërdorimit të “Paketës së Maleve”
FAQE 2
Martine Wolff: “Paketa e maleve” është një bombë sociale e vërtetë
FAQE 5
Nga podcasti në Fletoren Zyrtare: historiku i projektligjit
FAQE 11
Botohet i plotë Ligji Nr. 20/2025 Për Paketën e Maleve
FAQE 6-9
Cilët janë deputetët që votuan pro e kundër “Paketës së Maleve” dhe ata që heshtën
FAQE 11
Neni që të bën pronar të maleve pa qenë asnjëherë në male
FAQE 2
Si të bëhesh pronar me një fotografi, ose edhe pa të FAQE 5
“Paketa...” që u jep maleve goditjen e fundit
9 Prill 2024, Muriq, Vukël, Kelmend, Malësi e Madhe, Shkodër. Peizazh kulturor tipik i Alpeve Shqiptare përgjatë brigjeve të degëzimit të Cemit të Nikçit. Foto: Rand Eppich
Sipas vlerësimeve të Censit 2011 në vendbanimet që gjenden brenda territorit - sot të shpallur Park Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, jetonin rreth 19000 banorë, ndërsa sipas Censit 2023, aty kanë mbetur më pak se 10000 banorë. Shprehur në përqindje, shkalla e braktisjes është mbi 47%. Sipas dy regjistrimeve të mësipërme, situata është e njëjtë edhe në zonat e tjera malore, sidomos në rajonin verior-veriolindor të vendit, ku ka fshatra plotësisht të braktisur, ose Njësi Administrative të mbetura me vetëm 90 banorë (Shllaku)1. Në grupmosha gjendja paraqitet edhe më e rëndë, pasi aty ku ka - kopshtet dhe shkollat sa vijnë e tkurren, ndërsa të rinjtë dhe të rriturit kanë emigruar larg, duke lënë prindërit dhe moshat e thyera të mbijetojnë të vetëm mes malesh. Megjithëse edhe në jug nuk është shumë ndryshe2, rezultatet për qarqet malore të veriut janë vërtet alarmante - duke reflektuar prirjen e përbotshme: tërheqjen drejt metropoleve. Parë në këtë prizëm, një nisëm si “Paketa e Maleve”3 (shih Ligjin në fq.6-9) do të duhej të adresonte së pari problematikat themelore që përcaktojnë shkaqet e braktisjes masive të zonave malore në vendin tonë, sepse përtej prirjes së rinisë rurale për të zbritur në qytetet e zhurmshme, veçantitë tona janë të tjera nga ndonjë vend perëdimor ku kohezioni social ka humbur prej dekadash, apo edhe aziatik ku tradita mbetet ende autoritare. Sipas banorëve, shteti nuk është i pranishëm në këto zona malore që prej më shumë se tre dekadash: që prej kaq kohësh shumica e tyre vuajnë mungesën e shërbimeve bazike, si shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura. Më tej vjen punësimi, siguria, pastrimi dhe telekomunikacioni. Punësimi del në plan të dytë për një arsye shumë të thjeshtë: sepse që prej fillimit të viteve ‘90-të shekullit të kaluar4, malet po zbrazen nga njerëzit dhe aty nuk po mbeten më krahë pune as për kujdesin ndaj të moshuarve apo mbarështimin e oborreve shtëpiake. Mirëpo që në Nenin e parë, shpallja e qëllimit të ligjit “tërheqja e investimeve dhe nxitja e zhvillimit ekonomik” përmes “kalimit të pronësisë së pronës së paluajtshme shtetërore tek individët dhe/ose personat fizikë e juridikë” nuk adreson shëndetësinë, dhe arsimin si dy shkaqe kryesore të braktisjes së zonave malore, sidomos nga të rinjtë e madje edhe nga prindërit e tyre - po për shkak të arsimimit të fëmijëve. Sigurisht që për të drejta të tilla thelbësore - nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë burojnë ligje që i detyrojnë institucionet të ofrojnë shërbim për çdo shtetas kudo që ai jeton, mirëpo tranzicioni dhe shteti ligjor mbeten dy realitete paralele me pikëtakime vetëm në letër. Nga ana tjetër, përcaktimi i qëllimit të ligjit për “nxitjen e zhvillimit ekonomik apo turistik” - nëse jo keqpërdorim i qëllimshëm - duket pa lidhje me realitetin, sepse në përgjithësi zonat malore vuajnë nga demotivimi dhe injorimi5, por jo nga mungesa e zhvillimit ekonomik apo turistik. Shembujt e fshatrave malorë që kryesojnë prej vitesh listën e destinacioneve më të kërkuara turistike në nivel kombëtar janë të shumtë nga veriu në jug. vijon në fq. 3
1) INSTAT, “Censi i popullsisë dhe banesave në Shqipëri 2023: Shkodra”, 2024 2) https://gazetasi.al/rezultatet-finale-te-cens-2023-veriu-u-boshatis-me-shpejt-se-jugucfare-ka-ndodhur-ne-tirane/ 3) “Ligj nr. 20/2025, dt. 13.3.2025 Për paketën e maleve”, në “Fletorja Zyrtare, Nr. 69, dt. 18 Prill 2025 4) Bernd Fischer, “Albanian highland tribal society and family structure in the process of twentieth century transformation”, në “East European Quarterly”, XXXIII, No. 3, September 1999 5) https://pjp-eu.coe.int/documents/42128013/106317733/Rural-youth-study. pdf/1fde9ee6-48ce-a2f7-2985-124b44ae46e7