Nr. 36, Prill 2025
Vija e horizonteve të reja europiane FAQE 1, 2
Kalimi përtej: Transhumanca ndërkufitare e Luginës Senale, Itali FAQE 2, 4
Shtegtimi i bagëtive – transhumanca në Shqipëri FAQE 3, 4
Transhumanca portugeze ndërmjet Atlantikut dhe Mesdheut FAQE 5, 6
Tramontana - një marrëdhënie bashkëpunimi që prej një dekade e gjysëm FAQE 5
Vija e horizonteve të reja europiane
17 Korrik 2024. Stane në Berizhdol, Kelmend, Alpet Shqiptare, Shqipëri. Foto: L.Ura
E nisur 9 vjet më parë me objektiv për të kontribuuar në rritjen e ndërgjegjësimit të komuniteteve për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri1 dhe kompleksitetin që vetërregullon marrëdhëniet e natyrës me njeriun, gazeta VIJA po ngrihet tashmë në një nivel tjetër. Që në fillim2 dimensionet rajonale3 në lidhje me tematikat e mësipërme i janë paraqitur vazhdimisht lexuesit shqiptar4. Megjithatë, që prej këtij numri, VIJA do të sjellë kontekste ndërkombëtare për një gamë të gjerë temash që lidhen me bujqësinë dhe blegtorinë, kulturën e ujit dhe lëvizjen shoqërore në vende të ndryshme europiane. E veçanta e angazhimit të gazetës në këtë drejtim është përfshirja e drejtpërdrejtë e kontributorëve nga 7 vende europiane, të cilat bëjnë pjesë në rrjetin Tramontana – një inisiativë e mbështetur që prej vitit 2011 nga programi Europa Krijuese i Bashkimit Europian5, që synon studimin e thelluar të trashëgimisë shpirtërore të komuniteteve rurale dhe malore në Europë me qëllim ruajtjen dhe rigjallërimin e kësaj trashëgimie. Ky angazhim i gazetës VIJA vjen si rezultat i bashkimit të GO2Albania me këtë rrjet, me synim përfshirjen e kulturës së pasur shpirtërore të Malësive të Shqipërisë në hartën europiane të kësaj trashëgimie. Ky dimension i ri do të vijë përmes rrëfimit në vetë të parë të aktorëve në vendet përkatëse europiane, si Franca, Italia, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja dhe Shqipëria, të cilët do të përcjellin rezultatet dhe sfidat e punës së tyre mbi 10-vjeçare me trashëgiminë e maleve. Sikurse tashmë edhe në Shqipëri, trashëgimia shpirtërore e komuniteteve rurale dhe malore përballet me shumë kërcënime, si shpopullimi dhe humbja e këtyre praktikave tradicionale, shndërrimi i mjedisit dhe peizazhit, si dhe margjinalizimi për shkak të prirjeve globaliste. Mirëpo të shpalosura së bashku në këtë forum të ri, këto përvoja do të mund të bëhen të njohura për secilin prej vendeve të mësipërme – falë edhe botimit tashmë dygjuhësh të gazetës: shqip dhe anglisht. Në këtë mënyrë, vendet do të mund të shkëmbejnë përvojat dhe qasjet e tyre në kohë reale në lidhje me dokumentimin, vlerësimin dhe shpërndarjen e trashëgimisë shpirtërore të maleve, duke u njohur me atë çfarë ka ndodhur në një vend të caktuar në një epokë të caktuar, dhe si janë përjetuar epokat në kontekste të ndryshme. Në rastin e Shqipërisë, për shembull, izolimi i gjatë që pasoi Luftën e Dytë Botërore6, ndikoi në ruajtjen e trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore të komuniteteve rurale, e sidomos atyre malore. Ruajtja ishte favorizuar edhe më herët për shkat të prapambetjes social-ekonomike dhe organizimit fisnor – të dyja si pasojë e pushtimit të gjatë otoman të vendit7. Megjithatë, në aspektin antropologjik dhe kulturor, kjo mbetet një pasuri unike e Malësive të Shqipërisë8 në raport me pjesën më të madhe të Europës, ku humbja e këtyre vlerave nisi me revolucionin industrial9 dhe përfundoi me rindërtimin që përjetoi kontinenti pas dy Luftërave Botërore10. vijon ne fq. 2
1) “Vija e horizontit, e ligjit dhe e njohjes”, VIJA nr. 1, Tetor 2016 2) Aleksandra Nikonidovic, “Planeti në udhëkryq dhe Kongresi Botëror i Ruajtjes së Natyrës”, VIJA nr. 2, 2016 3) “Censusi i Janarit konfirmon rëndësinë e Shqipërisë për shpendët ujorë”, VIJA nr. 6, 2017 4) Nexhat Avdiu, “Biodiversiteti i pasur i Liqenit të Shasit”, VIJA nr. 6, 2017 5) https://www.re-tramontana.org/about/ 6) Bernd J. Fischer, Oliver Jens Schmitt, “A Concise History of Albania”, 2022 7) Akademia e Shkencave e RSH, “Historia e Popullit Shqiptar 2”, 2002 8) Robert Elsie, “The Tribes of Albania: History, Society and Culture”, 2015 9) Patrick O’Brien, “The Industrial Revolutions in Europe (Industrial Relations)”, 1994 10) Tamás Vonyó, “Recovery and reconstruction: Europe after WWII”, 2019 (https:// cepr.org/voxeu/columns/recovery-and-reconstruction-europe-after-wwii)