Nr. 30, Dhjetor 2022
Malësia e Madhe në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” Kelmend dhe Shkrel: ku kalojnë kufijtë e Parkut në Malësinë e Madhe 8 fshatrat e Malësisë së Madhe, pjesë e Parkut të Alpeve Pasuria e madhe ujore e Malësisë së Madhe në Alpe: 60 burime e dhjetëra përrej malorë Kelmendi mes ujërave dhe Shkreli i thatë Cilat janë zonat dhe pikat me rrezatim radioaktiv në Alpet Shqiptare dhe në Malësinë e Madhe
Malësia e Madhe në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”
Stane në Jame, Nikç (Foto GO2)
Për herë të parë Park Kombëtar – Zonë e Mbrojtur Të njohura përgjatë historisë për peizazhin mahnitës, biodiversitetin e pasur dhe trashëgiminë e izoluar kulturore, Alpet Shqiptare përfaqësojnë një kapital të jashtëzakonshëm për zhvillim, si dhe një magnet për turizmin. Prandaj në Janar 2022, një pjesë e tyre u shpall Park Kombëtar (PK). PK “Alpet e Shqipërisë” shtrihet në bashkitë Shkodër dhe Malësi e Madhe të Qarkut Shkodër dhe në bashkinë Tropojë të Qarkut Kukës. Në verilinjde PK kufizohet me parqet kombëtare të Kosovës (Bjeshkët e Namuna) dhe të Malit të Zi (Prokletije), ndërsa në jug kufizohet me disa parqe rajonale të Shqipërisë, si Nikaj-Mertur, Lugina e Shalës dhe Shkreli. PK “Alpet e Shqipërisë” është zonë e mbrojtur e Kategorisë II sipas Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Brenda këtij ekosistemi natyror me sipërfaqe 882844,65 hektarë (ha), gjenden 53 Monumente Natyre të kategorisë III të IUCN, si dhe një territor prej rreth 1261,52 hektarë të Rezervës Strikte Natyrore të Lumit të Gashit, kategoria I e IUCN, listuar si trashëgimi Botërore nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Për të ruajtur, menaxhuar dhe zhvilluar më tej vlerat e këtij ekosistemi natyror, Alpet e Shqipërisë kanë tërhequr vëmendjen e Fondit PONT, të fokusuar në ndërmarrjen e veprimeve kryesore të ruajtjes në parqe dhe në rajone e korridore ekologjike ndërmjet tyre. Si zbatuese e këtij projekti, Organizata GO2, në partneritet me Institutin për Kërkime Rurale janë angazhuar të lehtësojë dhe ndërmjetësojë aktivitetin menaxhues të Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut Shkodër (AdZM) në raport me komunitetin vendas të Bashkisë Malësi e Madhe që bën pjesë në PK “Alpet e Shqipërisë”. Sepse ndryshe nga Bashkitë Shkodër dhe Tropojë, të cilat kanë trashëguar një përvojë të caktuar në menaxhimin e Zonave të Mbrojtura, për Bashkinë Malësi e Madhe është hera e parë që përfshihet në një Park Kombëtar. Bashkia Malësi e Madhe shtrihet në një sipërfaqe prej 95101 ha, nga të cilat afro 29754.1 ha i përkasin PK “Alpet e Shqipërisë”. Pra, rreth 31.29% e territorit të kësaj Bashkie bën pjesë në këtë Park. Kjo sipërfaqe përbën rreth 35.92% e territorit të krejt Parkut. Janë përkatësisht dy Njësi Administrative (NjA) të Bashkisë Malësi e Madhe, territore të të cilave janë përshirë në PK “Alpet e Shqipërisë”: Kelmendi dhe Shkreli. Nga 375.7 km2, ose 37570 hektarë sa është sipërfaqja e përgjithshme e NjA Kelmend, rreth 22812.3 hektarë (60.7%) bëjnë pjesë në PK “Alpet e Shqipërisë”. Kjo sipërfaqe përfaqëson 23.99% të territorit të Malësisë së Madhe, ose rreth 27.54% te territorit të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”. Nga ana tjetër, territori i NjA Shkrel është 26240 ha, nga të cilat rreth 6941.8 ha janë pjesë e këtij Parku. Kjo është e barabartë me rreth 7.30% të territorit të Bashkisë, ose gati 8.38% të territorit të PK “Alpet e Shqipërisë”. Malësia e Madhe* në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”
Territori
Sipërfaqja
Përfshirja në Alpet Shqiptare
Përqindje
Malësi e Madhe Kelmend Shkreli
95101 ha 37570 ha 26240 ha
29754.1 ha 22812.3 ha 6941.8 ha
35.92% 27.54% 8.38%
*Të dhënat janë rezultat i matjeve të përafërta në hartën e AKPT
Plani i Menaxhimit (PM) të Parkut Kombëtar Alpet Shqiptare i vitit 2015, mbi të cilin u mbështet gjerësisht edhe Plani Kombëtar Strategjik i Turizmit në Rajonin e Alpeve Shqiptare (PKST) i vitit 2017 parashikonte që rreth 267 km2 (26700 ha) të përfshihej në Parkun Kombëtar, por në Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) Nr. 59, dt. 26.01.2022, u lanë jashtë Parkut rreth 3241.69 ha. Nga mbivendosja e hartave të Parkut sipas PM e PKST me hartën e VKM, duket se pjesa më e madhe e këtij territori është hequr nga Bashkia e Malësisë së Madhe. Sipas matjeve të përafërta në hartën ndërvepruese të platformës elektronike të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), rezulton se sipërfaqja e lënë jashtë është rreth 3181.13 ha dhe në MA përfshin fshatin Kozhnje dhe një pjesë të fshatit Vukël, që nga Qafa e Këstecit në Osojë me vazhdim te Maja e Dobrinjës, e Buçit, e Zagonit, e Stërnikut, e Zezë, e Djegur, e Muricjellës, e Surtës dhe e Brabës e deri në kufijtë e lagjes Muriq e Pepushaj të Vuklit. Ndërsa pjesa tjetër e lënë jashtë gjendet në jug të Parkut, i përket Bashkisë Tropojë dhe përfshin Monumentin Natyror “Rrobulli i Liqenit të Ponarëve” dhe zonën përreth tij.